Mbi të gjitha është më se e rëndësishme që orarin që zakonisht kishit lënë për cigaren, ta mbushnit me diçka tjetër, ndoshta diçka për të ngrënë.
Sigurisht që ju bie të çukisni te ushqimi, thuajse mbi 15 herë në ditë dhe kjo do të ishte mënyra më e dukshme e shtimit të peshës pas lënies së cigares.
Duke qenë se vini nga një përvojë e duhanpirjes së shpeshtë e për pasojë në organizmin tuaj kanë qarkulluar plot radikale të lira, që favorizojnë plakjen, atëherë bëni mirë që në periudhën apo vaktin e cigares, ta zëvendësoni me një vakt frutash. Mund të bëni pjesë të dietës suaj thjerrëzat, karotat, majdanozin, bananet, etj.
Bëni kujdes të mos eliminoni të gjitha karbohidratet nga dieta, për shembull, vazhdoni konsumoni bukë, makarona, oriz, pasi të gjitha këto janë prodhues dhe stimulues të çlirimit të një neurotransmetuesi në tru, i cili është përgjegjës për ndjenjën e mirëqenies.
Nëse për një moment do e ndjeni dëshirën për të përtypur diçka, apo thjesht ta mbani nën dhëmbë, merrni një kruajtëse dhëmbësh, transmeton Telegrafi.
Është mirë, ndër të tjera, të alternoni ujin dhe çajrat pastrues të organizmit, pijet me antioksidantë dhe të pasura me përbërës natyrorë të shëndetshëm.
Mos harroni të përfshini në dietën tuaj post cigare edhe përbërjet me magnez, zink dhe omega 3, duke qenë se jo vetëm luftojnë plakjen, por edhe forcojnë rezistencën.
Rralloni, deri sa t’i thoni përfundimisht jo, alkoolin dhe kafenë, të dy miq të pandarë me cigaren. Ata stimulojnë dëshirën për të ndezur një cigare, ose rrisin ndjenjën e euforisë, e cila shërben për të nënvlerësuar situatat, ose ashtu sikurse kafeja, tashmë përbëjnë ritualin ditor të pathyeshëm.
I thoni jo edhe ëmbëlsirave, ushqimeve të skuqura, yndyrave. Idealja do të ishte që pasi të linit cigaren, të fillonit edhe të mbanit një dietë të rregullt ushqimore.
Janë dy sakrifica mendore dhe fizike në të njëjtën kohë, të cilat nëse i bëni me neglizhenca nga pak të dyja, rrezikoni të dështoni. /Telegrafi/